Psikologia analizon : Faktoret e veteflijimit te grevisteve.

Në Shqipëri, imolimi për një kauzë të caktuar me karakter politik është një fenomen që vendi ynë, nuk është përballur më parë. Por çfarë e shtyn një individ të ndërmarrë hapa kaq drastik? Një analizë e kësaj ngjarje kaq tronditëse kërkon, pikë së pari, një analizë të efektit psikologjik që ka zjarri tek njeriu si dhe rreth formës ekstreme të protestës: imolimi. Gjergj Ndreca kërkoi me ngulm të digjej, ndërsa Lirak Bejko i vuri vetes flakën. Vetëm 24 orë më pas, një tjetër ish i përndjekur politik tentoi të kryente të njëjtën gjë. Dje në qytetin e Pogradecit një 47 vjeçar i pushuar nga puna, u velye me benzinë në qendër të qytetit dhe u vetëdogj... Megjithatë, shoqëria shqiptare nuk duket se po reagon. “Shekulli” ka intervistuar psikologen, Dr Erika Melonashi, pedagoge pranë Universitetit Europian të Tiranës, për të shpjeguar faktorët psikologjik, përpara dhe pas imolimi tek individët që marrin përsipër këtë veprim ekstrem dhe reagimin e publikut ndaj një gjesti të tillë.

Çfarë e shtyn një individ t'i vërë flakën vetes në shenjë proteste? Faktorët ekonomik, psikologjik, social? Pse vënia e zjarrit cilësohet si forma më ekstreme e protestës?



Termi imolim nënkupton ofrimin e vetes në shenjë sakrifice, për një kauzë të caktuar. Imolimi cilësohet si forma më ekstreme e protestës, ku individi zgjedh të vetë-sakrifikohet për një çështje kolektive. Kjo çështje mund të jetë me natyrë politike, ekonomike, fetare etj. Akti kryhet zakonisht në formë publike, pasi motivacioni kryesor i individit është të tërheqë vëmendjen për kauzën e tij. Ky akt lidhet shpesh me një dëshpërim të thellë kur individi konstaton se kauza në të cilën ai beson, e për të cilën lufton nuk po përparon. Rastet e imolimit janë konstatuar sidomos në kulturat e lindjes si Hinduizmi dhe Budizmi, por studime të kohëve të fundit kanë treguar se imolimi është përhapur edhe në vendet Europiane (raste në Itali, Britaninë e Madhe dhe Francë dhe më së fundmi në Shqipëri) sidomos në shenjë proteste ekstreme për çështje ekonomike, varfërinë dhe papunësinë në rritje. Sociologu Michael Biggs, ka konstatuar se në një periudhe rreth 40 vjeçare (1963-2002) numri i rasteve të imolimit ka arritur 3000 vetë, çka është një shifër e konsiderueshme. Pra, në këtë kuptim imolimi i ka kaluar kufijtë kulturorë duke u kthyer në një simbol të formës më ekstreme të protestës së individit, për çështje dhe problematika kolektive. Murgesha budiste Chan Kong e përshkruan më së miri këtë proces dhe sidomos qëllimin që ai mbart me fjalët: “Nëse do të blesh diçka, duhet te shesësh diçka…dhe vjen një moment që duhet të ‘blesh’ diçka me të vërtetë të vyer, vëmendjen dhe mbështetjen e njerëzve.. dhe për këtë duhet të japësh gjënë më të vyer që ke, jetën”. Pra i konsideruar në këtë optikë, imolimi përbën një përpjekje ekstreme dhe gati të dëshpëruar për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik dhe për të siguruar mbështetjen e tij.

Çfarë efekti psikologjik ka një gjë e tillë në shoqëri? Si perceptohet?

Sipas studiuesve të shkencave sociale, efekti i akteve të imolimit mbi shoqërinë është më i madh se çdo kontribut individual në lëvizjen sociale sidomos për shkak të efektit emocional që provokon akti. Imolimi përçon një imazh të fuqishëm tek opinioni publik, i cili kombinon idenë e viktimës së pafajshme me idenë e heroit, i cili përballet me vdekjen. Ky imazh ndikon jo vetëm në rrethin e afërt të përkrahësve të individit, tek të cilët provokon ndjenja turpi dhe faji para një sakrifice aq te madhe, por edhe gjerësisht në shoqëri. Akti merr përmasa edhe më të fuqishme nga fakti se individi nuk ka për qëllim ti bëjë keq askujt tjetër përveç vetes se vet, çka e dallon atë dukshëm nga atentatet terroriste. Aktet e imolimit kanë qenë pikënisja e lëvizjeve të rëndësishme shoqërore, të cilat kanë çuar deri në ndryshime regjimesh social-politike (psh., Tunizi, Vitenam, Kinë etj). Gjithsesi sipas studimit përmbledhës të Michael Biggs, vetëm në 1/3 e rasteve akti i imolimit ka provokuar përgjigje kolektive. Pjesa tjetër ka provokuar reagime të dobëta ose të përkohshme, që më pas kanë përfunduar në heshtje dhe harresë.

Si shpjegohet reagimi (apo mos reagimi, që mund të cilësohet një formë reagimi) i shoqërisë shqiptare në lidhje me vetdjegien e Gjergj Ndrecës?

Në kontekstin e reagimit (apo mosreagimit) të shoqërisë shqiptare në lidhje me rastin e Gjergj Ndrecës, mund të thuhet se fatmirësisht (ose fatkeqësisht) nuk jemi shoqëria e vetme që tregojmë indiferentizëm ndaj ngjarjeve të tilla. Historia ka treguar se shpjegimi i aktit të imolimit me arsye si çrregullimet mendore, ose ndrydhja e dimensioneve të ngjarjes në nivel individual dhe jo kolektiv janë cilësuar si dy nga arsyet primare. Përsa i përket çështjes së parë, duhet pranuar se rastet e çrregullimeve mendore që çojnë në djegie të individit ekzistojnë, por ka një dallim të rëndësishëm mes këtyre rasteve dhe imolimit të mirëfilltë. Kështu në rastet e çrregullimeve mendore, nuk mund të identifikohet një motiv konkret dhe i dukshëm i cili ka lidhje me një kauzë sociale. Përsa i përket aspektit të dytë, duhet theksuar se akte si imolimi kanë efekt mbi shoqërinë vetëm në ato raste kur fokusi i vëmendjes zhvendoset nga individi, drejt kauzës dhe komunitetit. Pra, momenti kyç është ai kur komuniteti sensibilizohet për rolin e vet në këtë ngjarje, dhe për arsyet me natyrë jo vetëm individuale që e kanë çuar individin drejt këtij akti ekstrem. Për fat të keq, duhet pranuar se reagimet e shoqërisë shqiptare ndaj këtij akti, reflektojnë një komunitet, i cili po i humbet gjithmonë e më shumë vlerat kolektive dhe po mbyllet në guackën e vet të individualizmit. Duke lënë mënjanë çfarëdolloj ngjyrimi politik, është tërësisht e domosdoshme që shoqëria shqiptare të rishikojë vlerat dhe parimet mbi të cilat po qëndron, dhe të pranojë pjesën e vet të përgjegjësisë, qoftë edhe në akte të tilla ekstreme si imolimi.
Share |
comments